• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Fragmente te perzgjedhura

Marla

....
Si të ndërtojmë një univers që të mos shkërmoqet pas dy ditësh

(Philip K. Dick Pjesë - përktheu Shkelqim Cela )

Gjithnjë kam shpresuar se duke shkruar romane e tregime, të cilët e përmbajnë pyetjen “Ç’është realiteti”, një ditë do e kisha një përgjigje. Dhe po kështu shpresonte shumica e lexuesve të mi. Kaluan vite. Shkrova mbi tridhjetë romane dhe njëqind tregime, dhe prapë nuk arrita të gjej se çfarë është realja. Një ditë një studente kolegji në Kanada më kërkoi t’i jepja një përkufizim të realitetit, pasi kjo i duhej për një temë që ajo po përgatiste në kursin e filozofisë në shkollë. Përkufizimin e desh me një fjali. U mendova dhe në fund i thashë se “Realiteti është çfarë nuk zhduket, edhe kur pushon së besuari në të”. Kaq munda të sajoja. Dhe kjo qe në 1972-shin. Çprej atëhere, nuk kam mundur ta përkufizoj realitetin më qartë se kaq.

Por ky është vërtet një problem, nuk është thjesht një lojë intelektuale. Sepse ne sot jetojmë në një shoqëri në të cilën realitetet e rreme fabrikohen nga mediat, qeveritë, korporatat e mëdha, grupet fetare, grupimet politike – dhe ekzistojnë edhe mjetet që t’i shpien këto botë të rreme drejt e në kokat e lexuesve, shikuesve, dëgjuesve. Ndonjëherë, teksa kundroj time bijë 11 vjeçare që sheh TV, dua të di se çfarë po i mësojnë asaj. Mbase gjëra jo të përshtatshme për moshën, ta zemë. Një program për të rritur që ndiqet nga një fëmijë - gjysma e gjërave që thuhen dhe bëhen atje keqkuptohen nga fëmija. Ose mbase edhe të gjitha. Dhe ta marrësh hollë-hollë, edhe sikur fëmija ta kuptonte siç duhet programin, sa i vërtetë është informacioni që jepet? Cila është marrëdhënia mes një komedie të rëndomtë televizive dhe realitetit? Po për show-t me policë? Makinat atje në vazhdimësi dalin jashtë kontrollit, përplasen, digjen. Policët janë gjithnjë të mirët dhe gjithnjë fitojnë. Mos e shpërfillni këtë pikë: Policia fiton gjithnjë. Ç’mësim na jepet me këtë? Që s’duhet të luftoni kundër autoritetit, dhe edhe nëse e bëni, prapëseprapë do humbni. Kumti: mos vepro! Dhe: bashkëpuno! Nëqoftëse oficer Baretta të kërkon të dhëna, jepja, sepse oficer Baretta është një njeri i mirë dhe i besueshëm. Ai të don, dhe ti duhet ta duash.

Kështu pra, shkrimet e mia e shtrojnë pyetjen, “Ç’është realja”? Sepse ne bombardohemi parreshtur me pseudo-realitete, të fabrikuara nga njerëz shumë të sofistikuar që përdorin mekanizma shumë të sofistikuara elektronike. Dhe unë s’është se s’kam besim në shtysat e tyre; unë s’i kam besë fuqisë së tyre. Dhe ata janë shumë të fuqishëm. Fuqia e tyre është e mahnitshme: me të ata krijojnë universe të tëra, universet e mendjeve. Mua më duhet ta di se si e qysh funksionon kjo. Unë bëj të njëjtën gjë. Është puna ime të krijoj universe, si baza e njërit roman apo një tjetri. Dhe ato universe më duhet t’i ndërtoj në mënyrë të tillë që të mos më shkërmoqen pas dy ditësh. Ose të paktën që kështu të shpresojë botuesi im. Sidoqoftë, po ju zbuloj një të fshehtë: mua më pëlqen të ndërtoj universe që shkërmoqen. Më pëlqen t’i shikoj se si u thahet mastiçi që u ngjit pjesët, më pëlqen t’i shoh personazhet në romane të përballen me këtë problem.

Kam një dashuri të fshehtë për kaosin. Duhet të ketë edhe më shumë kaos. Mos besoni – dhe e kam shumë seriozisht këtë – mos hamendni që rregulli dhe qëndrushmëria janë gjithnjë të mira në një shoqëri ose në një univers. Gjërat e vjetra, të kalcifikuara, duhet t’i lëshojnë vendin jetës së re dhe lindjes së gjërave të reja. Përpara se gjërat e reja të mund të lindin, të vjetrat duhet të zhduken. Dhe ky është një realizim i vështirë, sepse na dëften që me gjasë do na duhet të ndahemi me ç’e kishim të njohur e të afërt. Por kjo është pjesë e skriptit të jetës. Po të mos e bëjmë tonin psikologjikisht ndryshimin, ne zemë e vdesim vetë së brendshmi. Pra po them që sendet, zakonet, huqet, dhe mënyrat e jetesës duhet të zhduken në mënyrë që qenia autentike njerëzore të mund të jetojë. Dhe është shi kjo qenie autentike njerëzore, ky organizëm elastik e i gjallë që mund të mos e pranojë të renë, apo mund ta përthithë atë, apo që mund të japë e marrë me të, ajo çka vlen më shumë se çdo gjë tjetër.

Filozofi para-Sokratik grek Parmenidi na mëson se të vetmet gjëra të vërteta janë ato që nuk ndryshojnë… dhe filozofi para-Sokratik grek Herakliti na mëson se çdo gjë ndryshon. Po t’i mbivemë dy pikëpamjet e tyre, na del që: Asgjë nuk është e vërtetë. Kjo linjë mendimi pasohet nga një tjetër hap marramendës: Parmenidi nuk ka ekzistuar kurrë, sepse ai u plak, vdiq e u zhduk, pra sipas vetë filozofisë së tij, ai nuk ka ekzistuar. Por edhe Herakliti mund të ketë të drejtë – të mos harrojmë; kështu, nëqoftëse Herakliti kish të drejtë, atëhere Parmenidi ka ekzistuar, dhe ndaj, sipas Heraklitit, ndoshta Parmenidi ka të drejtë, përderisa Parmenidi përmbush kushtet e kriteret pas të cilave Harakliti i gjykonte gjërat si të vërteta.

Ua thashë këtë për të treguar se sapo fillojmë të shtrojmë pyetjen se ç’është në fund të fundit e vërtetë, fillojmë sakaq të flasim gjepura. Zeno provoi se lëvizja është e pamundur (në të vërtetë ai vetëm e përfytyroi vërtetimin; atij i mungonte ajo që quhet “teoria e kufijve”). David Hume, më i madhi skeptik, një herë vërejti se pas një tubimi të skeptikëve, të mbledhur për të shpallur vërtetësinë e skepticizmit si filozofi, të gjithë pjesëmarrësit sidoqoftë dolën nga dera e jo nga dritarja. Unë e kuptoj Hume-n. Ishin të gjitha llafe. Filozofët e rëndë nuk po i merrnin seriozisht ato ç’ka po thoshin.

Po, unë e quaj çështjen e përkufizimit se ç’është e vërtetë, një çështje serioze, madje jetësore. Dhe brenda në të, diku, është edhe çështja tjetër, përkufizimi i njeriut autentik. Sepse bombardimi i pseudorealiteteve fillon të prodhojë shumë shpejt njerëz jo autentikë, njerëz të rremë – po aq të rremë, sa dhe të dhënat që u ushtrojnë trysni nga të gjitha anët… realitetet kallpe prodhojnë njerëz kallpë. Ose, njerëz kallpë prodhojnë realitete kallpe dhe pastaj ua shesin njerzve të tjerë, duke i kthyer ata vetë, me gjasë, në njerëz fallso. Pra, ne përfundojmë njerëz të rremë që shpikin realitete të rreme, të cilat ua shesin njerzve të tjerë të rremë. Është thjesht një version i stërmadh i Disneyland-it.

Gjatë shkrimtarisë u përfshiva kaq shumë nga ideja e të rremes, saqë arrita tek koncepti i të rremave të rreme. Për shembull, në Disneyland ka zogj të rremë që punojnë me motor elektrik, të cilët lëshojnë zhurma e klithma kur u kalon pranë. Imagjinoni, një natë ne futemi fshehuraz në park dhe vemë zogj të vërtetë në vend të fallsove. Merrni me mend tmerrin e nëpunësve të Disneyt kur të zbulojnë mashtrimin e pamëshirshëm. Zogj të vërtetë! E më pas kushedi, edhe luanë apo hipopotamë të vërtetë. Ngrirje tmerri. Parku duke u shndërruar djallëzisht nga i pavërtetë në të vërtetë, nga forca të errëta. Për shembull, imagjinoni Matterhomi i kthyer në një mal të vërtetë mbuluar nga bora! Po sikur i gjithë parku, nga ndonjë mrekulli e fuqisë së Zotit, të kthehej në çast, sa hap e mbyll sytë, në diçka të pakorruptueshme? Atyre do t’u duhej ta mbyllnin parkun.

Në Timaeus-in e Platonit, Zoti nuk e krijon universin, siç bën Zoti kristian. Ai thjesht e gjen atë një ditë. Në një gjendje kaosi të përgjithshëm. Zoti i vihet punës për ta kthyer kaosin në rregull. Kjo ide më ngacmon, dhe e kam përshtatur për nevojat e mia intelektuale. Po sikur universi ynë të ketë filluar si jo krejt i vërtetë, një farë iluzioni, siç na mëson feja Hindu, dhe Zoti, nga dashuria dhe mirësia ndaj nesh, po e shndërron ngadalë dhe fshehtësisht në diçka të vërtetë?
 

Marla

....
FRIKA

Një mëngjes, indianët na dhuruan një lepur. E çuam në shtëpi, të mbyllur në një kafaz. Aty nga dreka, ia hapa derën e kafazit.
Në mbrëmje u ktheva dhe e gjeta siç e kisha lënë: brenda në kafaz, me trupin ngjitur te shufrat e hekurta, lepuri dridhej nga frika e lirisë.

EDUARDO GALEANO
 

Hera

Βιβλίο φάγος
Vendndodhja
Athine
VENDI IM

Emri yt ende nuk është shkruar.
Vazhdon ngjitjen tënde në drejtimin e kundërt të gravitacionit të dashnise
Në trajektoren e dhëmbshme të harreses.
E di se këtu kujtesa vret më tepër se Terrori
O Vendi im i braktisur nga gjuha.

Askush nuk na thotë vendin se ku jemi.

E prapë vazhdon të ngjitesh në malin mistik të teologjisë së dëshpërimit
Me formula të frikëshme honesh. Derisa arrijmë në atë piken mes Qiellit dhe Tokës,

Në vendin më të bukur të Dheut. Jo shumë lart, por jo dhe aq poshtë,
Në qoshkun e preferuar të engjëjve.
Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,
Me plagët e masakruara të Fatit;

Engjëlli i Historisë që nuk na thotë as vendin se ku jemi
O Vendi im !

Rudolf Marku
 

Marla

....
Ferri i të gjallëve nuk është diçka, që do të përjetohet në të ardhmen; gjithmonë nëse ka një ferr; ferri është ajo që përjetojmë çdo ditë, ajo që krijojmë teksa qëndrojmë bashkë.

Ka dy mënyra që të mos vuash brenda këtij ferri.

E para është ta pranosh këtë ferr dhe të hysh aq thellë brenda tij,sa të mos e vësh më re.

E dyta është mënyrë e rrezikshme dhe kërkon vëmendje dhe nxënie të vazhdueshme; të kërkosh dhe të njohësh, se cilët janë ata njerëz apo ato gjëra, që ndodhen brenda ferrit, por nuk janë ferr dhe dhe më pas t’u japësh kohë dhe hapësirë atyre njerëzve apo atyre gjërave, që nuk i përkasin ferrit.



Italo Calvino - Wikipedia
 

Marla

....
pavarsisht gjithçkaje dhe që, i zhgënjyer ose i trishtuar, i lodhur ose i sëmurë, vazhdon të gjurmojë rrugë, të lërojë tokën, duke luftuar kundër elementeve dhe madje duke krijuar vepra të bukura në mes të një bote barbare dhe armiqësore. Kjo duhet të na mjaftojë për të na dëshmuar se bota ka ndonjë kuptim misterioz dhe për të na bindur se, edhe pse të vdekshëm dhe të çoroditur, ne njerëzit mund të arrijmë në njëfarë mënyre madhështinë dhe përjetësinë. Dhe, nëse është e vërtetë se Satanai është zot i tokës, në ndonjë pjesë të qiellit, ose në ndonjë qoshe të qënies sonë, banon një Shpirt Hyjnor, që vazhdimisht lufton kundër tij, për të na ngritur përsëri dhe përsëri mbi baltën e dëshpërimit tonë.

Shkëputur nga - Njerëzit dhe ingranazhet- Ernesto Sabato
 

Marla

....
– Ç’është jeta për ty? – e pyeta.
– Flluska sapuni, – m’u përgjigj.
– Po vdekja?
– Shpërblimi i jetës!
– Ç’është bota?
– Një pikë helm në hapësirë!
– Ç’është me e kuptuar në Botë?
– Vdekja?
– Cila është kafsha më e egër?
– Njeriu!
– Po më e butë?
– Ajo që s’ka lindur!
– Cili njeri ju duket më i poshtër?
– Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen!
– Ç’është budallallëku?
– Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!
– Po puna më e mençme?
– Te gëzosh të tanishmen!
– Ç’është më e afërme?
– Vdekja!
– Po më e largët?
– Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.
– Çfarë është e pavdekur?
– Hapësira!
– Çfarë është më e bukur?
– Fantazia!
– Po më e shëmtuar?
– Sëmundja!
– Më e hidhur?
– Jeta!
– Më e ëmbël?
– Hiçi!
– Ç’gjë e është më e madhe?
– Libri i Botës!
– Po më e rëndë?
– Fjala!
– Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi:
– Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani?
– Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur?
– Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb!
– Kur shpërblehet njeriu?
– Kur e kujton veten të lumtur!
– Çfarë gjë ju duket më e mërzitur?
– Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër!
– Çfarë gjë ju duket më e vështirë?
– Të jesh njeri!
– Po më e lehtë?
– Të krijosh krijesë njerëzore!
– Cili është ngushëllimi i të pasurit?
– Pesha e qeses!
– Po i të vobektit?
– E ardhmja!
– Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti.
– Vdekja! -mu përgjigj serioz
– Po ç’përmban jeta e njeriut?
– Vetëm dyshime!….


Pse - Sterjo Spasse
 
  • Love
Reactions: NGU

Marla

....
Ekzistojnë pesë a gjashtë sekonda, në të cilët, ti krejt papritur ndjen se ke arritur harmoninë e përjetshme. Nuk ka asgjë tokësore brenda tyre dhe me këtë nuk dua të them se janë sekonda parajse, por në gjendjen tokësore njeriu e ka të vështirë t’i durojë ato sekonda. Ose duhet të shndërrohesh fizikisht, ose duhet të vdesësh. Ndjesia është e kthjellët dhe e pakundërshtueshme. Të duket se krejt papritur e ndjen gjithë natyrën dhe thua: Po, kjo është e vërtetë..!


Zoti, kur krijoi botën, në fund të çdo dite thoshte: Po, kjo është e vërteta. Kjo është e mira.
Kjo nuk është zemërbutësi, ky është gëzim. Ti nuk fal asgjë sepse nuk ka asgjë për t’u falur. Ti nuk dashuron sepse gjithçka është më e lartë se dashuria.
E frikshmja është se gjithçka është kaq e kthjellët dhe ka kaq shumë gëzim. Po të zgjaste më shumë se pesë sekonda, shpirti nuk do ta duronte dhe do të zhdukej.
Në ata pesë sekonda, unë jetoj jetën time dhe do ta jepja gjithë jetën për ata pesë sekonda, sepse ia vlen ta japësh jetën për to.

Po të zgjaste dhjetë sekonda, njeriut do t’i duhej medoemos të shndërrohej fizikisht.


Fyodor Dostoevsky shkëputur nga “Djajtë”
 

Marla

....
Qoshku i jetës- Nga Agim Xhafka

VALENTINA-TRËNDAFILI IM...

Nëna ime quhej Valentina. Nesër ka ditën e emrit. Qe mbushur plot dashuri ndaj dhe 14 shkurti,Dita e të Dashuruarve,mban emrin e saj. E donte shumë jetën. Sigurisht që të gjithë e duam. Por ajo e shfaqte dukshëm. Dhe simbol kishte trëndafilin. Kushdo nuse që porosiste jorganin e nusërisë tek ajo, se ishte mjeshtre pajash,i thoshte:
-Të të bëj një trëndafil në mes?
Shumica binin dakord. Por kur ndonjëra donte forma bakllavaje nëna ia priste:
-Ti e do për krevatin martesor apo për mbulesë të tavolinës së ngrënies?!
Trëndafil donte në bluza,fustane,bile kerkonte të ishin të kuq kur u bë gjyshe.
Më vjen ndër mend që kur merrte lekët e ndonjë kuverte të sapombaruar kërcente dhe i thoshte babait:
-Shkojmë vallëzojmë tek Turizmi?
Babai nguronte pak se plot vrima ishte jeta jonë familjare,por kurrë nuk ia prishte. Kurrë.
Më ngushtoi një herë xhaketën me kuadrata të babait,por më talli kur e vesha me tutat bezhë.
-O fshatari im,kushedi sa janë tallur me ty!
Më pas më përqafoi dhe lekët që fitoi nga një punim jorgani nuk i harxhoi në kërcim. Më bleu pantallona blu.
-Tani do vdesin çupkat për djalkën e bukur!
Kështu më rri para syve. Punëtore dhe dashnore e jetës së gëzuar. Qeshte bukur,fliste bukur,gatuante bukur,na donte me pasion. Por...
Deri kur babai na la. Që atë ditë e ndërroi perëndia. I iku gazi,gjallëria,oreksi,muhabeti,gjithçka. Dhe ishte e re. Rreth 60 vjet. Mbetej tek varrezat e fliste veç për babanë. Bile në shtëpi dialogonte me të. Krijonte mizanskena sikur im atë ishte ende gjallë.
Ajo tregonte qartë se tani më shumë donte babain se jetën. E dukshme fare. E lëshoi veten drejt një ikjeje pa kthim. Dhe si qeni Açiko mendjen e kishte tek i zoti i saj. U zotua se do bashkohej me njeriun që u martua kur ishte 18 vjeç dhe tërë jetën e pati si dashnor të zjarrtë. Që nuk i shuajtën kurrë vështrimet pasionante.
Dhe...pas tetë muajsh u nis me dëshirë në takimin e dashurisë së përjetshme. Jeta mes jerëzve nuk e ngopte më. Zjarri i babait e thërriste. Sa kalojnë vitet më shumë kuptoj. Dashuria është një gjë konkrete. Nuk është hyjnore. Merr vlerë kur dikush të do më shumë se veten. Dhe babai ishte me fat. Jetoi me një grua që vetmohimin për burrin e quante normale. Nuk gaboj kur them që në se nuk do ishte shkruajtur "Romeo e Zhuljeta" do të botohej këto vite "Alajdini dhe Valentina." Patjetër. Një dashuri e madhe duhet rrëfyer. Se mësojmë e kënaqemi.
Gëzuar 14 shkurtin,ditën e emrit. Valentina ime...
 

Marla

....
Gjithmone duhet me qene i dehur.
Ketu qendron ceshtja.Per te mos ndjere peshen e llahtarshme te kohes qe ua thyen shpatullat e ju perkul me fytyre nga toka,dehuni pa pushim.
Po me se ?Me vere ,me poezi,me virtyt sipas deshires,vec dehuni.

E nese ndonjehere ,ne shkallet e pallatit ,mbi barin e gjelber te hendekut,ne vetmine e murretyer te dhomes ,
ju zgjoheni e dehja nderkohe eshte tretur dhe avulluar,
pyeteni eren,dallgen ,yllin,zogun ,sahatin,gjithcka qe iken ,gjithcka qe gjemon,gjithcka qe rrotullohet,gjithcka qe kendon,gjithcka qe flet,pyeteni c'ore eshte,dhe era ,dallga ,ylli ,zogu,sahati do t'ju pergjigjen:"eshte ora te deheni!"

Per te mos qene sklleverit e martirizuar te kohes,dehuni pa pushim!Me poezi ,me vere ose me virtyt sipas deshires..

Sharl Bodeler
 

Marla

....
Jacques Prevèrt

"Per ty e dashur"

Isha ne tregun e zogjve
dhe bleva zogj
per ty
e dashur
Isha ne tregun e luleve
dhe bleva lule
per ty
e dashur
Isha ne pazarin e hekurit
zinxhire bleva
zinxhire te rende
per ty
e dashur
Dhe ne fund shkova ne tregun e sklleverve
duke te kerkuar ty
por nuk te gjeta
e dashur.
 
Top